Të gjithë fëmijët kanë nga një shembull model të cilin e imitojnë. Në vitet e para të jetës së tyre sigurisht se këta janë prindërit e tyre, ose ata të cilët përkujdesen për ta.  Prindërit janë ata të cilët i japin dituritë e tyre, urtësinë, mençurinë, vlerat morale dhe besimin fëmijëve të tyre. Ata influencojnë në vendimet e fëmijëve të tyre, veprimet dhe sjelljet. Nëse Ju vetë jeni prind për një kohë të gjatë e dini  se sa mbresëlënëse është përgjegjësia të jesh prind.

Sigurisht se kusht i parë esencial për të mësuar fëmija Juaj është që Ju vetë të jeni i eksituar për mësimin, nëse Ju nuk jeni adhurues i mësimit atëherë si mund të prisni që fëmija Juaj të jetë? Fëmija Juaj do t’ju imitoj Ju.

 Në sytë e fëmijës Suaj ju jeni sikur nën një thjerrëz, pothuajse çdo lëvizje e trupit Tuaj, çdo element i gjuhës Suaj trupore, çdo mjet i Juaj i komunikimit do të regjistrohet në trurin e fëmiut Tuaj.

Njësoj sikur të kishim thënë: Nëse uleni para kompjuterit, e hapni Word-in dhe merrni një dokument të ri për të shkruar pra një Blanc document dhe filloni të shkruani. Në fund nëse e mbyllni atë faqe duke shtypur x, në monitor do të ju lajmërohet një dritare dialoguese e cila do të ju pyet: Do you want to save the changes? Pra a dëshironi t’i ruani ndryshimet në dokument? Çfarëdo që të shtypni Yes ose No, atëherë herën tjetër kur Ju të hapni atë dokument do të keni po ato shënime të cilat i keni shkruar vetë, as më pak e as më shumë. E njëjta gjë do të ndodhë tek fëmija Juaj. Atë që i ofroni ose nuk i ofroni atij, ato ai do t’i posedoj derisa të rritet dhe të mund të krijoj vetë përvojën e tij pavarësisht nga Ju.

Pra nëse Ju jeni tip i gëzuar, fëmija Juaj do të jetë gjithashtu!

Nëse Ju lexoni dhe keni etje për të lexuar, fëmija Juaj do të ketë gjithashtu!

Nëse Ju urreni të mësuarit, përtoni të mësoni gjëra të reja, fëmija Juaj do të bëj të njëjtën gjë sikurse edhe Ju, sepse ai Ju merr JU si shembull, pikërisht në fazën e parë të jetës së tij kur ai më së shumti regjistron gjëra të reja.